KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 454, datë 03.05.2013
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1. MËSIMDHËNIE NË CIKLIN FILLOR ME DREJTIM MINOR: MËSIMDHËNIE NË CIKLIN PARASHKOLLOR
Për Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. EDUKIM
2. PËRKTHIM
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Master Profesional dhe Master i Shkencave, të kërkuara nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “Mësimdhënie në ciklin fillor me drejtim minor: Mësimdhënie në ciklin parashkollor”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
§ Aplikimi i formularit dhe rregullorja e programit “Master Profesional në Mësimdhënie në Ciklin Fillor me drejtim minor - Mësimdhënie në ciklin parashkollor” është paraqitur së bashku me formularin e aplikimit Master Shkencor në Edukim dhe nuk është parashikuar me 90 ECTS dhe nuk është në pëpruthje me udhëzimin e MASH për përgatitjen e mësuesve.
§ Forma e studimit nuk është përcaktuar qartë nëse është me kohë të plotë apo me kohë të pjeshme.
§ Në syllabuset e lëndëve mungojnë të dhëna për Detyrat e kursit, Format e mësimdhënies dhe literatura nuk është e ditëve të sotme.
§ Nuk janë paraqitur CV e stafit akademik që do të marrin pjesë në realizimin e këtij programi studimi.
§ Kriteret e pranimit në këtë program studimi nuk janë rishikuar për të shërbyer si informacion që jep ky program studimi.
§ Janë paraqitur syllabuset e lëndëve që kanë ngjashmëri me lëndë që janë zhvilluar në ciklin e parë të studimeve.
§ Raporti i orëve në auditor dhe jashtë auditorit nuk është në përputhjet me udhëzimet e MASh në fuqi.
§ Nuk është paraqitur një dokument studimor që flet për lidhjen e këtij programi me tregun e punës.
2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Edukim”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentet e mëposhtme:
- Mungojnë syllabuset e 2 moduleve të një lënde të detyrueshme si mëposhtë: Statistikë; SPSS.
- Në syllabuset e paraqitura mungojnë elementët si: Objektivat e lëndës /modulit; Literatura e ndarë në bazë dhe ndihmëse.
- Nuk janë paraqitur CV e personelit akademik që do të angazhohet në mësimdhënie.
- Nuk ka të dhëna sa pedagog janë të angazhuar me kohë të plotë dhe sa me kohë të pjesshme.
- Nuk ka të dhëna për tregun e punës dhe vlerësimin e nevojave të tregut të punës.
- Mungojnë të dhëna për aktorët përkatës në realizimin e praktikës studentore.
3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Përkthim”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master Profesional në Mësimdhënie në ciklin fillor me drejtim minor: Mësimdhënie në ciklin parashkollor
të mos hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Edukim
të mos hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Përkthim
të hapet
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT