KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 461, datë 03.05.2013
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. STUDIME REGJIONALE NË GJEOGRAFI
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për hapjen e Programit të ri të studimit Master i Shkencave, të kërkuar nga Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, bazuar në raportin e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Studime regjionale në gjeografi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
- Të zëvëndësohen të gjithë pedagogët doktorantë dhe master me pedagogë me tituj Prof; Prof.asoc; Doktor.
- Të verifikohen programet e të dy cikleve dhe të përjashtohen lëndët identike apo të ngjashme si dhe ato lëndë që vetëm japin informacion bazë.
- Të rikonceptohen dhe ristrukturohen lëndët/modulet e programit mësimor si dhe të rishikohet shpërndarja e ECTS.
- Programi i studimit të emërtohet “Studime rajonale në gjeografi”.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni aplikues, Universiteti “Luigj Gurakuqi”, Shkodër, për programin e studimit Master i Shkencave në “Studime regjionale në gjeografi”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për këtë program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programit të mësipërm.
BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT