Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 527, datë 18.07.2013 Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 527, datë 18.07.2013
Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master Profesional (MP) në:
1.   E DREJTË PENALE

Për Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1.   NDËRTIM MAKINASH

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit Master Profesional dhe Master i Shkencave, të kërkuara nga Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1.Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master Profesional në “E Drejtë Penale”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:

Kushte:


§  Të reflektojë në planin mësimor rritjen e ngarkesës në ECTS për praktikën profesionale dhe mikrotezën
§  Të bëjë përpjekje për angazhimin e një stafi më të kualifikuar (në bashkëpunim me institucionet të tjera të arsimit të lartë) si dhe të ulë numrin e lëndëve që mbulon një pedagog.

2.Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Master i Shkencave në “Ndërtim makinash”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:

Kushte:


§  Të ndryshohet emërtimi i programit të studimit në “Konstruksion makinash”.
§  Të realizohet një shpërndarje më optimale e ECTS sipas lëndëve, pasi rezultojnë lëndë me shumë ECTS, deri në 8.
§  Të ndryshohet emërtimi i lëndës “Ndërtim Makinash”.
§  Të qartësohen më mirë ECTS për lëndët si Menaxhimi i personelit dhe E Drejta e punës.
§  Të përmirësohet literatura e paraqitur në syllabuset e lëndëve pasi me përjashtim të disa lëndëve të formimit jo inxhinierik, pothuajse e gjithë literatura është në gjihë të huaj dhe në formë leksionesh.
§  Të qartësohen kriteret e pranimit të studentëve që vijnë nga speialitetet të tjera inxhinierike.
§  Të qartësohen kushtet specifike të pranimit të studentëve.


Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:



Institucioni aplikuesUniversiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, për programet e studimit: Master Profesional në “E Drejtë Penale” dhe Master i Shkencave në “Ndërtim makinash”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.


BARDHYL MUSAI
KRYETAR I KËSHILLIT TË AKREDITIMIT