Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 56 datë 04.12.2009 - Universiteti i Tiranës

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 56 datë 04.12.2009

Për vlerësimin e Programeve të Studimit të Ciklit të Tretë që përfundojnë me Doktoraturë (DR) në:
1. DR në INFORMATIKË
2. DR në STUDIME LETRARE
3. DR në KËRKIME GJUHËSORE
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për Programet e Reja të Studimit, Doktoraturë në: Informatikë të kërkuar nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës; dhe Doktoraturë në: Studime Letrare; Kërkime Gjuhësore, të kërkuara nga Fakulteti i Histori Filologjisë; Universiteti i Tiranës, bazuar në raportin e vlerësimit teknik, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
· Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Doktoraturë në “Informatikë”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin përfundimtar pozitiv me kusht që:
1. Të shikohet ngarkesa e drejtuesit të programit, pasi 3 lëndë duken realisht shumë, duke marrë në konsideratë edhe veprimtaritë e tjera në ciklet më të ulët të studimit. Si ngarkesë maksimale duhet të jetë dhënia deri në 2 lëndë.
2. Syllabuset të standardizohen në paraqitje dhe të zgjerohen pak më shumë.
3. Literatura të plotësohet sipas standardeve dhe burimet ku gjenden.
4. Të bashkëpunohet me Universitetin Politiknik të Tiranës dhe Fakultete të tjera.
· Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Doktoraturë në “Studime Letrare”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin përfundimtar pozitiv me kusht që të ristrukturohen lëndët dhe të shmangen ato që janë të Ciklit I ose të Ciklit II si “Shkrim Akademik” etj.
· Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, Doktoraturë në “Kërkime Gjuhësore”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin përfundimtar pozitiv me sugjerimet që:
1. Kriteret e Pranimit të jenë më të detajuara, të jenë linguistë të paktën me dy gjuhë të huaja.
2. Metodologjia e kërkimit të parashikohet në studimet teorike.
3. Të mos përfshihet lënda Gjuhë e Huaj.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Doktoraturë në “Informatikë” të hapet.
Programi i Studimit: Doktoraturë në “Studime Letrare” të hapet.
Programi i Studimit: Doktoraturë në “Kërkime Gjuhësore” të hapet.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT