KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 71 datë 31.03.2010
Për akreditimin Institucional të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Programeve të Studimit që përfundojnë me Jurist (Diplomë e sistemit të vjetër 4-vjeçar) dhe Diplomë e Nivelit të Parë në Drejtësi, të Shkollës së Lartë Universitare Private “Justicia”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin institucional të Fakultetit të Drejtësisë dhe të Programeve të Studimit Jurist (Diplomë e sistemit të vjetër 4- vjeçar) dhe Diplomë e Nivelit të Parë në Drejtësi të Shkollës së Lartë Universitare Private “Justicia”, të kryer në periudhën Shkurt 2009 – Mars 2010, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv për Fakultetin e Drejtësisë dhe dy Programet e Studimit: Diplomë e sistemit të vjetër 4-vjeçar në Drejtësi dhe Diplomë e Nivelit të Parë në Drejtësi (3 vjet) pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe, për këtë qëllim,
REKOMANDON:
1. Hartimi një strategjie afatgjatë, të zhvillimit institucional të institucionit.
2. Rritja e fondit për pasurimin e bibliotekës dhe mundësia e abonimi, online në Revista Juridike dhe të tjera prestigjioze
3. Vendosja e një raporti të drejtë midis pedagogëve të jashtëm dhe të brendshëm, për të shtuar numrin e pedagogëve të brendshëm, me rritjen e mëtejshme të institucionit.
4. Rishikimi në mënyrat e pranimit të studentëve, duke përcaktuar si kriter përzgjedhës edhe notën mesatare të tyre.
dhe brenda afatit 3 mujore të bëhet:
1. Përgatitja e suplementit të diplomës.
2. Vënia në funksionim permanent të njësisë së sigurimit të brendshëm të cilësisë, nëpërmjet përgatitjes së politikave konkrete mbi të cilat ajo duhet të veprojë.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Institucioni: Fakulteti i Drejtësisë, Shkolla e Lartë Private “Justicia” të akreditohet.
Programi i Studimit: Diplomë e sistemit të vjetër 4-vjeçar në Drejtësi të akreditohet.
Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë (3 vjet) në Drejtësi të akreditohet.
KËSHILLI i AKREDITIMIT