Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 90 datë 03.09.2010 - Akademia e Mbrojtjes “Spiro Moisiu”

KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 90 datë 03.09.2010

Për akreditimin e Programeve të Studimit që përfundojnë me Master i Nivelit të Parë në "Studime në Fushën e Mbrojtjes" dhe Master i Nivelit të Dytë në "Studime në Fushën e Sigurisë Kombëtare", të Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu”, Tiranë
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin e Programeve të Studimit Master i Nivelit të Parë (MNP) në "Studime në Fushën e Mbrojtjes" dhe Master i Nivelit të Dytë (MND) në "Studime në Fushën e Sigurisë Kombëtare", të Akademisë së Mbrojtjes “Spiro Moisiu”, të kryer në periudhën Qershor – Korrik 2010, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv për këto Programe Studimi, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Këshilli i Akreditimit vëren se duhen bërë përmirësime në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe, për këtë qëllim,
REKOMANDON:
• Të plotësohet personel akademik me gradën Doktor.
• Të reduktohen në planin mësimor disiplinat e shumta në numër.
• Të bëhet kujdes për zhvillimin e praktikës mësimore sidomos te Masteri i Nivelit të Parë.
• Të ketë një zgjidhje afatgjatë të problemit të financimit të Akademisë për t'i planëzuar e shpenzuar fondet e dhëna në interes të realizimit të misionit të saj, pa përdorur praktika centralizuese të panevojshme nga strukturat e tjera.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Parë në “Studime në Fushën e Mbrojtjes" të akreditohet.
Programi i Studimit: Master i Nivelit të Dytë në "Studime në Fushën e Sigurisë Kombëtare" të akreditohet.

 

KËSHILLI i AKREDITIMIT