KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr. 99 datë 29.10.2010
Për vlerësimin në kuadër të heqjes së kushteve të akreditimit për Fakultetin e Shkencave Shoqërore si dhe për programet e studimit të ciklit të parë (DNP/Bachelor) në: “Shkenca Politiko-Administrative”; “Financë-Bankë”; “Psikologji të Përgjithshme”; “Shkenca Komunikimi” dhe Programit të Studimit të Ciklit të Parë (4 vjeçar) në “Shkenca Juridike”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “UFO University”.
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin në kuadër të heqjes së kushteve të akreditimit për Fakultetin e Shkencave Shoqërore si dhe për programet e studimit të ciklit të parë (DNP/Bachelor) në: “Shkenca Politiko-Administrative”; “Financë-Bankë”; “Psikologji të Përgjithshme”; “Shkenca Komunikimi” dhe Programit të Studimit të Ciklit të parë (4 vjeçar) në “Shkenca Juridike”, të Shkollës së Lartë Universitare Private “UFO University”, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar pozitiv pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.
Në lidhje me plotësimin e kushteve të akreditimit, Këshilli i Akreditimit arrin në këto përfundime:
· Institucioni ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura më urdhrin Nr. 77, datë 09.04.2009. Institucioni ka bërë përmirësime në statutin e IAL, duke qartësuar kompetencat e organeve kolegjiale (bordit administrativ dhe senatit) lidhur me vendimmarrjen në proceset akademike, ka plotësuar dokumentacionin mbi personelin akademik si dhe ka miratuar dhe zbaton rregulla të posaçme mbi transferimet, të mbështetura në legjislacion.
· Institucioni ka plotësuar strukturën organizative në përputhje me organigramën e re; funksionojnë këshillat e fakulteteve dhe në krye të tyre janë vendosur persona që plotësojnë kriteret e vendosura nga IAL.
· IAL ka bërë përpjekje për te rekrutuar personel me kohe të plotë me tituj e grada. Mbi 25% e personave të rekrutuar në periudhën 2009-2010 ishin vendosur në krye të fakulteteve dhe departamenteve dhe kishin kryer studime pasuniversitare jashtë vendit. Kontratat e punës i përmbajnë të gjitha detyrimet kontraktuale dhe në to është specifikuar pozicioni dhe ngarkesa mësimore.
· IAL ka ngritur zyrën e sigurimit të brendshëm të cilësisë dhe ka filluar nga puna zyra e karrierës. Puna e bërë nga personeli në këto zyra ishte e mire dhe premtuese për të ardhmen. Në krye të tyre ishin emëruar persona me përvojë.
· Institucioni kishte lidhur disa marrëveshje me institucione të ndryshme për praktikat e studentëve, kishte rritur bashkëpunimin me institucione të tjera të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit, por për një pjesë të bashkëpunimeve akoma nuk ishin lidhur marrëveshje bashkëpunimi.
· Puna e bërë në fushën e kërkimit shkencor është premtuese për të ardhmen. IAL ka një strategji për punën shkencore dhe ka alokuar burimet e nevojshme njerëzore dhe materiale për realizimin e saj. Departamentet kanë rritur pjesëmarrjen e studentëve në punë shkencore.
· Në fushën e infrastrukturës ka akoma kushte të paplotësuara, të cilat duhet të mbahen parasysh në të ardhmen.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007/i ndryshuar, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Heqjen e kushteve të akreditimit Institucionit të Arsimit të Lartë Privat “Ufo University” për Fakultetin e Shkencave Shoqërore si dhe për programet e studimit të ciklit të parë (DNP/Bachelor) në: “Shkenca Politiko-Administrative”; “Financë- Bankë”; “Psikologji të Përgjithshme”; “Shkenca Komunikimi” dhe Programit të Studimit të Ciklit të Parë (4 vjeçar) në “Shkenca Juridike”, bazuar në Urdhër të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës Nr. 355, datë 03.11.2009 dhe Vendimin e Këshillit të Akreditimit Nr. 77, datë 09.04.2009
KËSHILLI i AKREDITIMIT