KËSHILLI I AKREDITIMIT
VENDIM
Nr.95 datë 28.09.2010
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimin për Programet e Reja të Studimit të Ciklit të Parë:
1. DNP në Administrim Biznesi
2. DNP në Financë
3. DNP në Psikologji
4. DNP në Drejtësi
5. DNP në Infermieri
të kërkuara nga Shkolla e Lartë Private “DYRRAHU”, bazuar në raportin e vlerësimit teknik, raportin e vlerësimit në përmbajtje me ekspert, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, vëren se ka mangësi të konsiderueshme në hartimin e këtyre programeve të reja dhe, për këtë qëllim, përpara marrjes së Vendimit përfundimtar për hapjen ose jo të programeve të propozuara, aplikuesi (subjekti) duhet të plotësojë këto KUSHTE:
Për të gjitha programet e studimit të azhurnohen emërtimet e programeve në përputhje me ndryshimet e Ligjit të arsimit të lartë, datë 22 korrik 2010.
Për Programet e Ciklit të Parë të Studimit në: “Administrim Biznesi” dhe “Financë”:
1. Të bëhet ndarja e lëndës “Manaxhimi i burimeve njerëzore & i operacioneve” në dy lëndë të veçanta: “Menaxhimi i burimeve njerëzore” dhe lënda “Menaxhim i i operacioneve” (të cilat mund të jenë pjesë e një moduli).
2. Të rishikohet lënda “Menaxhim dhe komunikim biznesi”, pasi në përmbajtjen e plan programit të kësaj lëndë, mungojnë temat që i përkasin drejtimit të menaxhimit. Lënda “Menaxhim” të jetë lëndë më vete në funksion të formimit të studentit.
3. Orët e ngarkesës jashtë auditorit të paraqiten në tabela, ku të pasqyrohet e gjithë ngarkesa e ndarë sipas zërave, që edhe llogaritja e ECTS të jetë më e verifikueshme dhe e saktë.
4. Këto dy programe studimi kanë dy vite identike (me lëndë të përbashkëta) dhe në vitin e tretë ndryshojnë vetëm me 4 lëndë nga shtatë gjithsej (pa numëruar praktikën dhe mikrotezën), është në interes edhe të këtij IAL-je, që për një shfrytëzim efektiv të burimeve të kufizuara të personelit të tij të ofrohej një program i përbashkët me specializime/profilizime në vitin III.
Për Programin e Ciklit të Parë të Studimit në “Psikologji”:
1. Të ripërcaktohet qartë misioni i programit. IAL-ja të zgjedhë ose të riformulojë misionin sipas programit të paraqitur dhe të shprehet se orientimi i tij është psikologjia klinike, ose të ridimensionojë kurrikulën duke përfshirë lëndë të psikologjisë së edukimit dhe të psikologjisë së punës, sipas misionit të shprehur i cili pretendon për një fokus në psikologji shkollore dhe psikologji pune. Në të dyja rastet misioni duhet të artikulohet qartë dhe të shoqërohet me objektivat për realizimin e tij.
2. Të rishikohet plani mësimor në përputhje me misionin.
3. Programit të studimit i mungon komponenti i vlerësimit në psikologji. Është i domosdoshëm një formim bazë në fushën e testimit dhe të vlerësimit psikologjik. Nevojitet të përfshihet të paktën një një lëndë që të realizojë synimet për formimin e psikologut në rolin e vlerësuesit.
4. Të përcaktohen në mënyrë të specifikuar detyrimet e studentëve për lëndën si dhe format e vlerësimit të specifikuara, në përshtatje me programin lëndor.
5. Të paraqitet një listë e personelit akademik për të gjitha lëndët dhe me treguesit e kërkuar.
6. IAL-ja duhet të dëshmojë sesi do t’u sigurojë dhe më pas mundësojë studentëve përdorimin e literaturës në gjuhë të huaj.
Për Programin e Ciklit të Parë të Studimit në “Drejtësi”:
1. Programi i studimit do të zbatohet nga një personel akademik i cili nuk ka kualifikimin shkencor të kërkuar. Duke qënë se dokumentacioni përmban vetëm emrat e pedagogëve që do të angazhohen në vitin e parë dhe ata janë të panjohur është e nevojshme të sillen CV-të e tyre, ku të dalë qartë, edukimi, formimi shkencor dhe profesional, përvoja në mësimdhënie, aktiviteti shkencor i tyre.
2. Ka mospërputhje mes përmbajtjes së syllabuseve, kryesisht temave dhe konceptimit të literaturës së propozuar. Është e nevojshme të rishikohet përmbajtja e programeve të lëndëve dhe të mbështeten detyrimisht me legjislacionin shqiptar dhe tekste mësimore të përditësuara. Të mbahet parasysh që literaturë legjislacioni dhe praktika shqiptare, të rekomandohen si të detyrueshme dhe jo fakultative.
3. Ka një prirje për të mos vlerësuar si detyruese njohjen e legjislacionit shqiptar në lëndë formuese karakterizuese që kanë të bëjnë me të drejtën shqiptare. Në disa lëndë, referohen ligje të cilat janë shfyqizuar ose ndryshuar. Është e nevojshme të bëhet përditësimi i literaturës dhe legjislacionit të propozuar.
4. Programet e disa lëndëve nuk kanë përputhje me përmbajtjen e lëndës dhe literaturën e propozuar, sidomos në lëndët që nuk kanë të përcaktuar titullarët e tyre. Të rishikohet literatura dhe të bëhen rregullimet përkatëse.
5. Format e mësimdhënies janë statike dhe nuk mundësojnë (të paktën nga mënyra sesi janë përshkruar në syllabuse) mësimin ndërveprues, përdorimin e mjeteve dhe metodave bashkëkohore të mësimdhënies. Është e nevojshme që të përcaktohen nëse në ndonjë lëndë studenti do të jetë i detyruar të përgatisë ese, diskutime ose punime në grup.
6. Forma e kontrollit të dijes (pikëzimi) dhe vlerësimi i studentëve nuk rezulton i saktë. Është e nevojshme të rishikohet vlerësimi dhe përcaktohet qartë sesi formohet totali prej 100 pikë dhe detyrimi i studentit për frekuentimin e lëndës.
Për Programin e Ciklit të Parë të Studimit në “Infermieri”:
1. Plani mësimor dhe programi i paraqitur, si nga përmbajtja ashtu dhe nga mënyra e paraqitjes është i njëjtë me programin aktual të Fakultetit të Infermierisë të Universitetit të Tiranës.
2. Një pjesë e konsiderueshme e personelit akademik të deklaruar nuk kanë kualifikimin e duhur për lëndën që ato mbulojnë.
3. Lëndë të rëndësishme si: Mikrobiologji, Biokimi, Histologji, Imunologji dhe Gjenetikë, janë parashikuar që të mbulohen vetëm nga një pedagog.
Institucioni aplikues “Shkolla e Lartë Universitare Private “DYRRAHU””, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
KËSHILLI i AKREDITIMIT