Programet e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundojnë me Master Profesional (MP) në:
1. TURIZËM
2. ADMINISTRIM BIZNESI
3. FINANCË – KONTABILITET
Programin e Studimit të Ciklit të Dytë që përfundon me Master i Shkencave (M.Sc.) në:
1. ADMINISTRIM BIZNESI NË TURIZËM DHE MIKPRITJE
Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për Programet e Reja të Studimit, Master Profesional dhe Master i Shkencave, të kërkuara nga Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve, bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:
1. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Turizëm”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
Të rishikohet dhe të përdoret literaturë më bashkëkohore.
Të plotësohen syllabuset me vitin e botimit të literaturës bazë dhe ndihmëse.
Të paraqitet literatura bazë për syllabusin e lëndës “Administrimi i mjedisit”.
Të rishikohen të gjithë syllabuset e lëndëve në mënyrë që ato të përmbajnë të gjithë elementët e tyre përbërës.
2. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Administrim Biznesi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësim përfundimtar:
Kushtet:
Të paraqiten orët mësimore në auditor të ndarë sipas formave të mësimdhënies.
Të përputhen sipas Udhëzimeve të MASh të dhënat për orët mësimore në auditor dhe ECTS për Praktikën profesionale dhe Tezën e Diplomës.
Të përmirësohen syllabuset e lëndëve me elementët si: Temat e lëndëve të paraqitura më të zgjeruara; të paraqiten format e vlerësimit të studentëve dhe detyrimet e studentit për lëndën.
Të paraqitet literaturë ndihmëse për lëndën “Sistemet e informacionit të menaxhimit”; “Lidershipi”; “Seminar praktik në menaxhim”; “Metodologji kërkimi” dhe “Legjislacion tatimor”.
3. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, MP në “Financë - Kontabilitet”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentin: Programi nuk ëshë ndërtuar në përputhje të plotë me Udhëzimin e MASh dhe syllabuset, literatura dhe qartësia e strukturës së lëndëve nuk jepen të qarta.
4. Përmbajtja e Programit të Ri të Studimit, M.Sc. në “Administrim Biznesi në turizëm dhe mikpritje”, nuk përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Negativ, me argumentat:
IAL nuk ka mbajtur parasysh Udhëzimin nr. 15 MASH datë 04.04.2008 për hartimin e planit mësimor: Numri i provime është më i madh sesa numri i lejuar (20 provime nga 14 të lejuara)
Orët në auditor më të ulta se minimumi i kërkuar (1050 orë nga 1200 të kërkuara). Të rillogariten orët e praktikës.
Ka një diferenca midis numrit të krediteve dhe orëve në auditor në shumë module.
Nuk reflektohen në planim mësimor orët jashtë auditorit, format e mësimdhënies (leksione, seminare).
Kriteret e pranimit nuk janë vendosur duke marrë në konsideratë Programin e Studimit.
Ka mospërputhje të kritere me ato të parashikuara nga legjislacioni.
Kriteret specifike të pranimit nuk janë të përshtatshme për PS. Një pjesë e madhe e kritereve shtesë janë kritereve që vendosen për programet e ciklit të tretë.
Vënia e gjuhës së huaj si kriter pranimi bie në kundërshtim me nenin 26, të Ligjit nr.10 307 datë 22.7.2010 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar pika 1.2.1c (studentët e këtij programi studimi duhet të japin në përfundim edhe provimin e gjuhës angleze, mbi bazën e testeve të njohura ndërkombëtare).
Nuk deklarohet lista e diplomave që regjistrohen me detyrime shtesë.
Syllabuset nuk përmbajnë: ndarjen e literaturës në: Literatura e detyruar dhe ndihmëse; Planin kalendar të modulit; Njohuritë paraprake që duhet të zotërojë studenti për të ndjekur modulin; Format e vlerësimit dhe detyrimet e lëndës paraqiten së bashku. Nuk jepen shpjegime në lidhje me vlerësimin me notë; Ngarkesa e studentëve në orë mësimore për të gjitha elementët e programit; Kohëzagjatja në disa syllabuse nuk përputhet me atë të planit mësiomor.
Dy module .”Menaxhimi i territorit turistik” dhe “Turizmi i qëndrueshëm” kanë të njëjtën literaturë.
Mungojnë marrëveshjet e bashkëpunimit me Universitetin e Tiranws, Universitetin e Durrwsit dhe institucione të tjera sipas niveli të angazhimit të stafit akademik.
Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:
Programi i Studimit: Master Profesional në Financë - Kontabilitet
të mos hapet
Programi i Studimit: Master i Shkencave në Administrim Biznesi në Turizëm dhe Mikpritje
të mos hapet
Institucioni aplikues Universiteti “Fan S. Noli”, Korçë, për programet e studimit: MP në “Turizëm” dhe MP në “Administrim Biznesi”, pasi të jenë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.
Z. Emil Lamani dhe Z. Vladimir Nika nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.