Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 226 datë 29.07.2011, Kolegjit Profesional Privat “Medicom”

Për akreditimin Institucional dhe Programeve të Studimit që përfundojnë me Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Infermieri e Përgjithshme” (3 vite akademike) dhe Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Teknikë Laboratori” (3 vite akademike), të miratura me VKM Nr. 797, datë 22.07.2009, të Kolegjit Profesional Privat “Medicom”.

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi vlerësimin Institucional dhe Programeve të Studimit që përfundojnë me Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Infermieri e Përgjithshme” (3 vite akademike) dhe Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Teknikë Laboratori” (3 vite akademike), të miratura me VKM Nr. 797, datë 22.07.2009, të Kolegjit Profesional Privat “Medicom”, të kryer në periudhën Dhjetor 2010 – Qershor 2011, mbështetur në raportin e vetëvlerësimit, raportin e vlerësimit të jashtëm, në raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë, jep vlerësimin përfundimtar Pozitiv, pasi janë në përputhje me standardet, kërkesat ligjore institucionale dhe akademike në fuqi.

Këshilli i Akreditimit vëren se në përgjithësi Institucioni dhe programet e studimit, i kanë përmbushur objektivat e tyre formues, por ka edhe disa mangësi në realizimin tërësor dhe me cilësi të procesit të formimit të studentëve dhe pajisjes së tyre me dijet dhe shprehitë e nevojshme dhe për këtë qëllim

REKOMANDON:

Me gjithë vlerësimet pozitive ka edhe disa sugjerime që mendojmë të shikohen për të rritur nivelin e këtij institucioni, të cilat janë:

 Stafi pedagogjik duhet të krijojë kushte të nevojshme, inkurajojë dhe nxitë studentët për rritjen e cilësisë dhe rezultateve.
 Të shikohet mundësia për aplikimin e konkurist të pranimit pas përfitimit të një eksperiencë të konsiderueshmë si IAL gjë që do të rrisë edhe cilësinë e studentëve në hyrje.
 Të shihet mundësia që përveç rrjetit të klinikave ”Medic-one”, të ngrihet një shërbim spitalor universitar duke shmangur si alternativë kryesore QSUT dhe duke patur parasysh profilin mjekësor të programeve që ofrojnë.
 Drejtuesit e institucionit duhet të rrisin më tej inkurajimin për rritjen e nivelit të kërkimit shkencor, si nga stafi akademik ashtu edhe nga studentët.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, VKM Nr. 303, datë 1.7.1999, Për Krijimin e Sistemit të Akreditimit në Arsimin e Lartë, VKM Nr. 424, datë 2.6.2010, për Miratimin e rregullores për sistemin e akreditimit, organizimin dhe veprimtarinë e institucioneve të sigurimit të jashtëm të cilësisë, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

Akreditimin Institucional të Kolegjit Profesional Privat “Medicom”.

Institucioni: Fakulteti Mjekësor, Kolegji Profesional Privat “Medicom”.
të akreditohet.

Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Infermieri e Përgjithshme” (3 vite akademike).
të akreditohet.

Programi i Studimit: Diplomë e Nivelit të Parë/Bachelor në “Teknikë Laboratori” (3 vite akademike).
të akreditohet.

Z. Emil Lamani dhe Z. Vladimir Nika nuk ishin të pranishëm në këtë mbledhje.