Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë

VENDIM Nr. 316, datë 16.03.2012 SHLUP “New York University of Tirana”

Për Programet e Studimit të Ciklit të Tretë që përfundojnë me Doktoraturë (Dr) në:
1. ADMINISTRIM BIZNESI, me profile: a. Shkenca Ekonomike; b. Financë; c. Menaxhim; d. Marketing; e. Kontabilitet; f. Biznes ndërkombëtar
2. SHKENCA KOMPJUTERIKE, me profile: a. Shkenca kompjuterike; b. Sisteme menaxhimi informacioni
3. SHKENCA SHOQËRORE DHE HUMANE, me profile: a. Edukim; b. Drejtësi; c. Shkenca politike/Marrëdhënie Ndërkombëtare; d. Psikologji

Këshilli i Akreditimit, pasi shqyrtoi propozimet për hapjen e Programeve të reja të studimit, Doktoraturë, të kërkuara nga Shkolla e Lartë Universitare Private “New York University of Tirana”, bazuar në raportet e vlerësimit teknik dhe në përmbajtje, raportimin e Agjencisë Publike të Akreditimit të Arsimit të Lartë për procedurën e vlerësimit dhe respektimin e kritereve si edhe bazuar në standardet shtetërore të cilësisë, arrin në këtë përfundim:

1. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Administrim Biznesi, me profilet: Shkenca Ekonomike; Financë; Menaxhim; Marketing; Kontabilitet dhe Biznes ndërkombëtar”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.

2. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Shkenca Kompjuterike, me profilet: Shkenca kompjuterike; Sisteme menaxhimi informacioni”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.

3. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Shkenca shoqërore dhe Humane, me profil: Edukim”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësimin përfundimtar:
Kushtet:

  • Të argumentohet se cila është vlera e shtuar që do të sjellë ky program studimi në tregun shqiptar të arsimit apo atë rajonal e më gjerë.
  • Të shprehen qartë: objektivat, pritshmëritë, kërkimet, punësimi, bashkëpunimi me universitetet e huaja, mobilitetin e studentëve duke mbajtur parasysh kontekstin e edukimit.
  • Të sigurohet një staf i mjaftueshëm me formim dhe ekspertizë në fushën e edukimit pasi vetëm një nga pedagogët ka formim psikologjik, por asnjë në fushën e edukimit.
  • Të riformatohet plani mësimor për kursin teorik, duke plotësuar sipas zërave të parashikuara në dokumentet nën ligjore të MASh: orët e parashikuara në auditor, orët për studimin individual, orët e parashikuara në javë, etj.
  • Të parashikohen format dhe procedurat e vlerësimit për arritjet në përfundim të vitit të parë të studimeve të organizuara teorike.
  • Të plotësohen syllabuset e lëndëve që mungojnë si: “Kurrikula dhe të mësuarit” dhe “Të nxënët dhe motivimi”.
  • Të plotësohen emrat e pedagogëve për kurset përkatëse dhe të ruhet konsistenca e tyre në plan dhe në programet lëndore.
  • Të përcaktohet më qartë në rregulloren e studimeve si: kriteret e fushës/ave së/të pranuar/a të studimeve të mëparshme, të plotësohen procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve dhe procedurat e vlerësimit të disertacionit.

4. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Shkenca shoqërore dhe Humane, me profil: Drejtësi”, përmbush pjesërisht standardet e cilësisë dhe për këtë arsye vendos kushtet e mëposhtme, pas plotësimit dhe verifikimit të të cilave jep vlerësimin përfundimtar:
Kushtet:

  • Të paraqitet një rregullore përkatëse (specializimi drejtësi) e cila të jetë në funksion të tij.
  • Të përcaktohet qartë misioni dhe objektivat e tij, si dhe të duhet të shoqërohet me një studim real të tregut të punës, duke u nisur kjo edhe nga fakti që ka një “superprodhim” të studentëve që mbarojnë në drejtësi.
  • Të shikohet mundësia që programi i studimit të marrë një emërtim adekuat, referuar edhe përmbajtjes së lëndëve të karakterit specifik.
  • Të integrohet ky program në një projekt kërkimor, i cili të jetë në funksion edhe të implementimit të Strategjisë së hartuar nga institucioni për periudhën 2011-2015.
  • Të paraqitet një marrëveshje bashkëpunimi, e cila të përmbajë elementët e një marrëveshje, me të drejtat dhe detyrimet, që ka çdo palë e saj si dhe me mekanizmat përkatës të implementimit të saj.
  • Të respektohen standardet shtetërore të cilësisë, si nga pikëpamja institucionale (Urdhëri Nr. 126 i Ministrit të MASh) dhe ato të programeve të studimit të ciklit të tretë (Urdhëri Nr. 136 i Ministrit të MASh), në lidhje me raportin e pedagogëve të brendshëm të nevojshëm për realizimin e një programi studimi.
  • Të përshtatet numri i pranimit të studentëve sipas një procedure, e cila duhet të kombinojë si kërkesat e karakterit të përgjithshëm ashtu edhe asaj të posaçëm.
  • Të përputhet numri i studentëve të pranuar, me nevojat reale, që nënkupton si stafin akademik dhe administrativ që ofron insititucioni ashtu dhe politikat shtetërore në këtë drejtim.
  • Të paraqiten të dhëna për mënyrën se si do të realizohet vlerësimi i studentëve.

5. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Shkenca shoqërore dhe Humane, me profil: Shkenca Politike/Marrëdhënië Ndërkombëtare”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.

6. Përmbajtja e Programit të ri të studimit, Doktoraturë në “Shkenca shoqërore dhe Humane, me profil: Psikologji”, përmbush standardet e cilësisë dhe për këtë arsye jep vlerësimin Pozitiv.

Këshilli i Akreditimit, bazuar në kompetencën që i jep Ligji Nr 9741, datë 21.5.2007, Për Arsimin e Lartë në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar, Vendim Nr.424, datë 02.6.2010 “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë” dhe Vendim Nr.368, datë 14.4.2011 “Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin Nr. 424, Datë 2.6.2010, të Këshillit të Ministrave “Për Miratimin e Rregullores për Sistemin e Akreditimit, Organizimin dhe Veprimtarinë e Institucioneve të Sigurimit të Jashtëm të Cilësisë”, të ndryshuar”, i rekomandon Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës:

  1. Programi i Studimit: Doktoraturë në Administrim Biznesi, me profilet: a. Shkenca Ekonomike; b. Financëc. Menaxhim; d. Marketing; e. Kontabilitet dhe Biznes Ndërkombëtar të hapet
  2. Programi i Studimit: Doktoraturë në Shkenca Kompjuterike, me profilet: a. Shkenca Kompjuterike; b. Sisteme Menaxhimi Informacioni të hapet
  3. Programi i Studimit: Doktoraturë në Shkenca shoqërore dhe Humane, me profila. Shkenca Politike/Marrëdhënië Ndërkombëtare të hapet
  4. Programi i Studimit: Doktoraturë në Shkenca shoqërore dhe Humane, me profila. Psikologji të hapet

Shkolla e Lartë Universitare Private “New York University of Tirana” për programet e studimit: Dr në “Shkenca shoqërore dhe Humane", me profil: "Edukim” dhe Dr në “Shkenca shoqërore dhe Humane", me profil: "Drejtësi”, pasi të ketë plotësuar kushtet e mësipërme për secilin program studimi, të njoftojë zyrtarisht Këshillin e Akreditimit, i cili, pas verifikimit, do të rifillojë procedurën për vlerësimin e programeve të mësipërme.